Osmani takon presidentin e Emirateve, paralajmërohen mbështetje për projekte të reja

Osmani ka bërë të ditur se gjatë takimit, falënderoi në emër të popullit të Kosovës për kontributin e Emirateve në fushën e shëndetësisë, “si dhe për vijimin me projektin e rëndësishëm të ndërtimit të spitalit të ri të gjinekologjisë, i mbështetur në dakordimin tonë të mëhershëm”.

“Po ashtu, e vlerësoj lart mirëkuptimin e plotë dhe mbështetjen e Presidentit për projektet e reja në fushën e shëndetësisë dhe në fusha të tjera zhvillimore që i prezantuam dje”- ka shkruar ajo.

 

 

Presidentja po qëndron në Emiratet e Bashkuara Arabe për Samitin Botëror të Qeverisjes me ftesë të Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan. Në Samit po marrin pjesë edhe shumë liderë nga mbarë bota.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë konfirmuar dy investime strategjike në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, të cilat kapin një vlerë të përbashkët prej 32.5 milionë euro.

Lajmin e kishte bërë të ditur ambasadori kosovar në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Xhabir Hamiti pas një takimi zyrtar në Abu Dhabi me Zëvendëssekretaren e Departamentit të Shëndetësisë, Dr. Noura Al-Gaithi.

Investimi më i madh i kësaj pakete është ndërtimi i Spitalit të Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë, një donacion me vlerë 25 milionë euro.

 

 

Ambasadori njoftoi se tashmë kanë nisur përgatitjet fillestare në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës për të përzgjedhur lokacionin e përshtatshëm për implementimin e këtij projekti madhor.

Krahas ndërtimit të ri në kryeqytet, investimi i dytë fokusohet në Spitalin “Sheikh Zayed” në Vushtrri. Për këtë institucion, sipas Hamitit, është ndarë shuma prej 7.5 milionë euro, ndërsa procesi pritet të fillojë brenda këtij viti. Ky fond do të shërbejë për rinovimin e plotë të infrastrukturës spitalore dhe, mbi të gjitha, për pajisjen e tij me teknologji të re mjekësore.

“Me këtë rast, në emër të shtetit dhe popullit tonë, shpreha mirënjohjen më të thellë ndaj lidershipit të Emirateve të Bashkuara Arabe, në krye me Presidentin e vendit, Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, si dhe ndaj popullit emiratas, për këto donacione të çmuara që kontribuojnë drejtpërdrejt në avancimin e kushteve të sektorit të shëndetësisë në Republikën e Kosovës”- ka shkruar ai në Facebook më 23.01.2026.

Emiratet e Bashkuara Arabe janë shteti i parë në botën arabe që e njohu Kosovën më 14 tetor 2008.

 

 

Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve janë vendosur më 27 prill 2010 dhe Kosova hapi Ambasadën në Emiratet e Bashkuara Arabe më 13 maj 2018.

Emiratet e Bashkuara Arabe janë partner ekonomik i Kosovës. Ndër investimet më të mëdha që kanë bërë në Kosovë janë ato në shëndetësi.

Emiratet e Bashkuara Arabe u bashkuan me misionin paqeruajtës të KFOR-it të NATO-s në vitin 1999 dhe ndërmorën një mision ndihmës që përfshinte ushqimin e mijëra refugjatëve që iknin në kufirin shqiptar.

Ndihma gjatë luftës në Kosovë ka bërë që në vitin 2021 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) të inaugurohet Spitali i Fëmijëve “Sheikha Fatima”, donacion nga EBA. Spitali i cili ka kapacitet prej 100 shtretërve dhe kishte nisur të ndërtohet në mars të vitit 2016. Kostoja e këtij projekti ishte rreth 22 milionë euro.

 

 

Nëntë vite më parë, Emiratet e Bashkuara Arabe financuan projektin për inaugurimin e renovimit të Spitalit të Përgjithshëm “Sheikh Zayed” në Vushtrri, i cili ishte ndërtuar në vitin 2003 falë donacioneve të EBA-s dhe Gjysmë Hënës së Kuqe të EBA-s. Kjo kishte ardhur si rezultat i një Memorandumi Mirëkuptimi mes Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, përfaqësuesit të qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Kuvendit Komunal të Vushtrrisë të nënshkruar më 26 nëntor 2001.

Dy vite më vonë, në vitin 2015, atëkohë presidente Atifete Jahjaga në Dubai ishte arritur Marrëveshja për Bashkëpunim Ekonomik ndërmjet Kosovës dhe EBA-s duke i hapur rrugë investimeve konkrete të Emirateve të Bashkuara Arabe në Kosovë.

Kjo marrëveshje hapi rrugët për të identifikuar plane dhe projekte konkrete për investime dhe se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të përfshijë, por nuk do të kufizohet, në fushën e tregtisë, industrisë, bujqësisë, transporteve, telekomunikacionit, turizmit dhe investimeve, duke përfshirë financimin e fushave të mësipërme.

Ndërkaq, në tetor të vitit 2023, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe, kërkoi investime në energjinë e ripërtritshme në Kosovë në tetor 2023. EBA kanë rezervat e shtatë më të mëdha të naftës në botë dhe rezervat e shtatë më të mëdha të gazit natyror.

 

 

Gjatë këtij takimi bilateral nga Ministri i Shtetit të EBA-s, Ahmed Ali Al Sayegh, ata nënshkruan Protokollin e Parë të Komitetit të Përbashkët Ekonomik.  Ky protokoll rrjedh në kuadër të Marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së EBA.

Nga 22 shkurti 2024, qytetarët e Kosovës udhëtuan pa viza në Emiratet e Bashkuara Arabe.