Studimet e fundit tregojnë se autokritika mund të rrisë fokusin, ndërsa vetëmbështetja përmirëson vendimmarrjen, por asnjëra nuk funksionon e vetme. Balanca mes tyre është çelësi i vetëbesimit, forcës së brendshme dhe rritjes personale
A keni vënë ndonjëherë re zërin në mendjen tuaj që komenton gjithçka që bëni? Ndonjëherë ju inkurajon, e ndonjëherë ju kujton çdo gabim që keni bërë ndonjëherë. Ky zë i dytë është dialogu i brendshëm negativ, ndërsa i pari është ai pozitiv. Të dy bashkë ekzistojnë vazhdimisht brenda nesh, të formësuar nga përvojat tona, nga mënyra si janë sjellë të tjerët me ne dhe nga pritshmëritë që kemi mësuar të kemi ndaj vetes.
Zëri ynë i brendshëm ndërtohet ndër vite. Varet nga mënyra si na janë drejtuar kur ishim fëmijë, sa shumë jemi lavdëruar apo kritikuar, si edhe nga standardet që kemi zhvilluar gjatë jetës. Ndonjëherë ky zë është aleati ynë më i madh, por shpesh bëhet kritiku ynë më i pamëshirshëm.
Çfarë thotë shkenca?
Një studim i vitit 2021, botuar në Scientific Reports, analizoi se si dialogu pozitiv dhe negativ i brendshëm ndikojnë në trurin dhe aftësitë njohëse. Studiuesit, duke përdorur skanime fMRI dhe teste të zgjidhjes së problemeve, krahasuan dy lloje të dialogut të brendshëm: vetëmbështetjen (pozitive) dhe autokritikën (negative).
Rezultatet ishin befasuese:
– Autokritika përmirësoi rezultatet në raundin e dytë të testimit, ndoshta sepse rriti vigjilencën dhe motivimin e brendshëm. Njerëzit u bënë më të përqendruar pasi ishin treguar më të ashpër me veten.
– Vetëmbështetja përmirësoi funksionet si planifikimi, vendimmarrja dhe arsyetimi, por krijoi edhe një vetëbesim të rremë. Njerëzit ndiheshin më të aftë sesa ishin realisht.
Pra, dialogu i brendshëm pozitiv rrit motivimin dhe ndjenjën e sigurisë, por kur është i tepruar, mund të çojë në mbivlerësim të vetes. Dialogu negativ, nga ana tjetër, mund të rrisë fokusin, por vetëm kur shpie drejt përmirësimit të gabimeve, jo drejt vetëposhtërimit.
Përfundimi i studimit? Asnjë lloj dialogu të brendshëm nuk është “i mirë” apo “i keq”. Çelësi është balanca: mjaftueshëm vetëbesim që të besoni tek vetja, por edhe mjaft autokritikë që të qëndroni me këmbë në tokë.
Si ta njohim dialogun e brendshëm negativ që na pengon?
Lind pyetja: kur është autokritika e dobishme dhe kur ju saboton? Jo të gjitha mendimet negative janë konstruktive. Tek shumë njerëz, kritiku i brendshëm bëhet një zhurmë e vazhdueshme, një zë që zvogëlon vlerën, forcën dhe motivimin.
Një studim i vitit 2025, botuar në BMC Psychology, analizoi si njerëzit që menaxhojnë mirë zërin e tyre negativ arrijnë ta “zbusin” atë. Pjesëmarrësit më rezistentë shpjeguan se dinë ta identifikojnë tipin e kritikut të brendshëm dhe t’i përgjigjen atij në mënyrë të vetëdijshme.
Studiuesit identifikuan katër tipe të kritikëve të brendshëm:
1.Të shqetësuarit – frikë nga dështimi
2.Të shkëputurit nga emocionet – shtypin ndjenjat
3.“Nuk jam i mjaftueshëm për të tjerët” – kërkojnë miratim të jashtëm
4.“Unë i pavlefshmi” – kritiku më i ashpër dhe më dërrmues
Secili tip aktivizohet në situata të ndryshme dhe shkakton mendime e emocione karakteristike.
Interesante është se njerëzit që e menaxhojnë mirë dialogun e brendshëm nuk përpiqen ta heshtin atë. Përkundrazi, i përgjigjen me mirëkuptim dhe vetë-dhembshuri, e pranojnë kritikën, por nuk lejojnë që ajo të përcaktojë vlerën e tyre.
