Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka bërë të ditur se ka biseduar me telefon me presidentin rus Vladimir Putin të dielën për herë të parë në dy vjet e gjysmë, teksa pritej një vendim në lidhje me pjesëmarrjen e Vuçiqit në samitin e BRICS.
Serbia, një kandidate e Bashkimit Evropian, ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë, duke ruajtur “marrëdhënie të ngushta dhe miqësore”.
Që atëherë, duke ndjekur drejtimin e shumë vendeve të BE-së, Serbia ka punuar në gjetjen e burimeve alternative, por mbetet pjesërisht e varur nga Moska.
Dhe në bisedën e tij të parë të drejtpërdrejtë me Putinin që nga maji 2022, Vuçiq përsëriti se Serbia nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj për t’u përmbajtur nga sanksionet kundër Rusisë për konfliktin në Ukrainë.
“Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse. Kjo nuk do të ndryshojë”, citohet të ketë thënë Vuçiq.
Kremlini në një deklaratë tha se të dy liderët shprehën kënaqësinë për nivelin e marrëdhënieve dypalëshe, bazuar në “bashkësitë shpirtërore, kulturore dhe historike”.
“Nëse them se do të shkoj në Kazan, kjo do të sinjalizojë fundin e rrugës evropiane të Serbisë. Nëse them diçka tjetër, ata do të pretendojnë se kam tradhtuar rusët”, kishte thënë Vuçiq në fillim të javës, duke shtuar se ai do të të njoftojë vendimin e tij për udhëtimin deri të hënën. /Telegrafi/