Vuçiqi e nis “urgjentisht” ushtrinë drejt Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pak para orës 14 i lëshoi ​​një urdhër ushtrisë për ngritjen e gatishmërisë luftarake në nivelin më të lartë dhe që nga ai moment Ushtria filloi aktivitetet e saj, tha ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq.

“Është urdhëruar një lëvizje urgjente drejt” kufirit me Kosovën, tha Vuçeviq për Pink TV drejtpërdrejt nga qendra e Beogradit, raporton N1.

Ai paralajmëroi se ngjarjet në veri të Kosovës, ku qeveria e Prishtinës po merr në dorë ndërtesat e vetëqeverisjes lokale, “nuk janë lojë, por kërcënojnë sigurinë e të gjithëve në rajon”.

Siç theksoi ai, ushtria do ta përmbushë absolutisht urdhrin e Vuçiqit dhe do ta mbrojë sovranitetin e Serbisë dhe të drejtën e jetës së të gjithë qytetarëve të saj.

“Është e qartë se po bëhet terror ndaj komunitetit serb në Kosovë”, ka përfunduar Vuçeviq.