Zelensky: Rusia po përpiqet të nisë një luftë në Ballkan

Rusia mund të krijojë kriza të reja në Ballkan dhe Moldavi në mënyrë që të largojë vëmendjen e botës nga lufta në Ukrainë.

Kështu u tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gazetarëve afrikanë.

“Sot të gjithë po diskutojnë krizën në Lindjen e Mesme. Por, siç e kam thënë sinqerisht, ky nuk është problemi i djeshëm. Dhe jo problemi i pardjeshëm. Të gjithë e dinë për këtë konflikt të vazhdueshëm dhe luftë të vazhdueshme, por askush nuk dëshiron ta përfundojë. Ky është një shpërthim në Lindjen e Mesme, Rusia qëndron pas kësaj, ne jemi të sigurt, me aleatët e tyre Iranin”, tha ai, raporton agjencia bullgare e lajmeve “Novinite”.

“Kushtojini vëmendje Ballkanit. Më besoni, ne kemi informacione. Rusia ka një plan të gjatë. Lindja e Mesme, shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani. Në fund të fundit, nëse partnerët nuk bëjnë diçka tani, atëherë do të ketë një shpërthim atje përsëri, dhe sërish – kjo nuk do të jetë një histori e re. Marrëdhëniet e tyre kanë qenë në krizë për një kohë të gjatë. Prandaj, Rusia do të investojë sot që një vend ballkanik të luftojë një vend tjetër”, deklaroi Zelensky.

Më 24 shtator, një grup terrorist serb i armatosur rëndë hyri në Kosovë duke lënë të vdekur një polic të Kosovës.

Më pas, njësia speciale e Policisë së Kosovës ndërmori një aksion për neutralizimin e grupit, i cili kishte gjetur strehë në Manastirin e Banjskës.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit mes tyre, mbetën të vrarë tre terroristë. Pjesa tjetër ikën në drejtim të Serbisë, ku edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë.

Grupit i kishte prirë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, sipas avokatit të këtij të fundit. Radoiçiq ishte arrestuar më 3 tetor në Beograd nga forcat serbe të sigurisë, por që një ditë më pas, ai u la i lirë.

Radoiçiq akuzohet në Serbi për blerje të armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla në Bosnje dhe Hercegovinë, nga janari 2023 deri më 24 shtator.

Ekspertë të sigurisë kanë thënë se qëllimi i këtij grupi, i cili thonë se ka hyrë në Kosovë me lejen e autoriteteve të Serbisë, ka qenë që të marrë nën kontroll pjesën veriore të vendit dhe më pas të shpallin autonominë. /Klankosova.tv