Pandat gjigante largohen nga Kopshti Zoologjik Kombëtar për t’u kthyer në Kinë

Pandat e fundit gjigante që kanë qenë pjesë e Kopshtit Zoologjik Kombëtar në Uashington për rreth pesë dekada, janë në rrugën e tyre për në një shtëpi të re në Kinë, duke filluar me një fluturim aeroplani të mërkurën.

Dy panda, mashkulli dhe femra Tian Tian 26 vjeç dhe MeiXiang 25 vjeç, së bashku me djalin e tyre Xiao Qi Ji 3 vjeç, u vendosën në kamionë rrugës për në Aeroportin Ndërkombëtar Dulles për një udhëtim 19-orësh në Chengdu, Kinë.

Kina zotëron dhe merr me qira të gjitha pandat gjigante në kopshtet zoologjike të ShBA-së. Qiraja për pandat në Kopshtin Zoologjik Kombëtar përfundon më 7 dhjetor.

“Ne e dinim që kjo ditë do të vinte”, tha një nga mbajtëset e pandave Nicole MacCorkle. “Do të na duhet pak kohë, por jeta do të vazhdojë këtu në kopshtin zoologjik. Do të jetë një zbrazëti që të gjithë ne do ta ndiejmë, dhe mendoj se i gjithë Uashingtoni do ta ndiejë”.

Çifti i parë i pandave gjigante mbërriti për herë të parë në Uashington në vitin 1972 pasi Presidenti Richard Nixon vizitoi Kinën në mes të Luftës së Ftohtë.

Pas nisjes të së mërkurës, kopshti zoologjik do të jetë pa panda gjigante për herë të parë në 23 vjet.