Publikohen detajet për takimin Kurti-Vuçiq!

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka bërë të ditur detaje për takimin mes Kosovës e Serbisë, i cili pritet të mbahet të martën më 15 qershor në Bruksel.

Në këtë takim për herë të parë për çështjen e dialogut do të marrin pjesë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Përmes një komunikate për medie zyra e BE-së, njofton se takimi do të jetë i nivelit të lartë, që siç edhe dihet do të ndërmjetësohet nga Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesi Special i BE Miroslav Lajçak.

“Do të ketë një deklaratë për media nga Përfaqësuesi i Lartë në fillim të takimit në 8:20 dhe një deklaratë për media nga Përfaqësuesi Special i BE pas përfundimit të takimit (rreth orës 13:00)”, thuhet në këtë komunikatë.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka nisur në vitin 2011 me bisedimet për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012 kishte evoluuar në bisedime politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me përfaqësim të nivelit të lartë politik, ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të të dyja vendeve.

Gjatë dhjetë vjetëve të dialogut Kosovë-Serbi, besohet se janë arritur mbi 30 marrëveshje, ndonëse autoritetet në Prishtinë dhe në Beogradi, flasin me shifra të ndryshme për këto marrëveshje.

Në mesin e marrëveshjeve të arritura është edhe ajo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për formimin e së cilës, tashmë ekziston kontesti ndërmjet vetë palëve që e kanë arritur atë.

Bashkimi Evropian synon të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse në të cilën do të zgjidheshin të gjitha çështjet mes dy vendeve.

Pas një pezullimi gati 2 vjeçar, bisedimet ndërmjet dy vendeve gjatë vitit 2020 patën rifilluar, por ato sërish u ndërprenë për shkak të zgjedhjeve në Kosovë që u mbajtën më 14 shkurt. /Telegrafi/