Vendosni emoji në fjalëkalime – ka një arsye gjeniale pse duhet ta bëni këtë

Ekspertët kryesorë kibernetikë kanë zbuluar se shumë aplikacione ju lejojnë të vendosni emoji në fjalëkalime, dhe bërja e kësaj ka një avantazh të madh.

Emoji-t janë opsione të mira për të dërguar mesazhe dhe për të bërë postime në rrjetet sociale, por ato gjithashtu mund t’ju mbajnë të sigurt.

Kompjuterët zakonisht i trajtojnë emoji-t si shkronja, numra dhe shenja pikësimi, raporton “The Sun”, transmeton Klankosova.tv.

Kjo do të thotë që ju mund t’i përdorni ato për t’i bërë fjalëkalimet dukshëm më të forta.

“Kur persona dashakeqë përpiqen të thyejnë me dhunë një fjalëkalim që përmban shkronja, numra dhe shenja pikësimi, ka më pak se njëqind variacione për çdo simbol që duhet të zgjedhin”, tha Stan Kaminsky, ekspert në gjigantin e sigurisë kibernetike “Kaspersky”.

“Por ka më shumë se 3600 emoji të standardizuara në Unicode, kështu që shtimi i një emoji në fjalëkalimin tuaj i detyron hakerët të kalojnë rreth 3700 variante për simbol”.

“Pra, për sa i përket kompleksitetit, një fjalëkalim i përbërë nga pesë emoticonë të ndryshëm është i barabartë me një fjalëkalim të rregullt me nëntë karaktere”.

“Ndërsa shtatë emoji janë ekuivalente me një fjalëkalim të fortë me 13 karaktere ‘të rregullta’”.

Ka edhe disa përfitime të tjera nga përdorimi i emoji-ve.

Për shembull, ata janë më të lehtë për t’u mbajtur në mend sesa një “përzierje” e ndërlikuar shkronjash, vuri në dukje Kaminsky.

Por, jo çdo aplikacion do t’ju lejojë të futni një emoji për fjalëkalimin tuaj, kështu që mund t’ju duhet të përdorni “login” më tradicionalë për disa shërbime.

Emoji mund të jetë gjithashtu më i ndërlikuar për t’u futur nëse përpiqeni të identifikoheni me shpejtësi.

Për të përfituar më të mirën nga të dyja botët, merrni parasysh përdorimin e emoji për të modifikuar pak një fjalëkalim në vend që ta zëvendësoni plotësisht atë. /Klankosova.tv